Los Angeles, zjarri masiv detyron evakuimin e qindra banorëve

05/06/2016 00:00

Një zjarr masiv shpërtheu në zonën Calabasas në Los Angeles dhe, sipas autoriteteve lokale, flakën janë ende jashtë kontrolli.

Me qindra zjarrfikës dhe vullnetarë po luftojnë kundër zjarrit, që deri tani ka shkrumbuar një sipërfaqe të madhe toke dhe ka detyruar shumë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.

Policia lokale tha se, 600 njerëz morën urdhra evakuimi, ndërsa me mijëra të tjerë kanë lënë shtëpitë e tyre, pasi flakët po përparojnë me shpejtësi. Të evakuuarit janë strehuar në qendra emergjence të ngritura në shkollat e zonës.

Mediet bëjnë me dije se, autoritetet kanë ndalur deri tani vetëm 15% të zjarrit dhe kjo nuk është aspak e mjaftueshme për të garantuar sigurinë e njerëzve. Mësohet se, me dhjetëra ndërtesa dhe shtëpi janë prekur nga flakët, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e zjarrit.

Autoritetet dyshojnë se nuk bëhet fjalë për shkaqe natyrore, por ka raporte për një makinë që u përplas dhe dëmtoi shtyllat e tensionit të lartë, duke shkaktuar flakët në bimësinë rreth e rrotull vendit të aksidentit. Më pas flakët janë përhapur me shpejtësi edhe falë temperaturave të larta dhe erërave të forta në zonë.

Top Channel