Venezuela në krizë, Castro mbështet “aleatin” Maduro

05/06/2016 00:00

Presidenti i Kubës Raul Castro deklaroi se, vendi i tij nuk do të kthehet në Organizatën e Shteteve Amerikane, e njohur me siglën “OAS”, duke u solidarizuar me Venezuelën.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Amerikane, Luis Almargo ka bërë thirrje që ky organizëm të vendosë sanksione ndaj Venezuelës. Por, gjatë një samiti të vendeve të Karaibeve në Havana, Castro e cilësoi organizatën “OAS” një instrument të dominimit imperialist.

Kuba u përjashtua nga “OAS” në vitin 1962, por pas përmirësimit të raporteve së fundmi me SHBA-të, u sugjerua që ishulli komunist të mund të rikthehej në këtë organizatë. Nuk është i këtij mendimi Castro, i cili e përjashtoi mundësinë, duke i shprehur mbështetje dhe solidaritet popullit të Venezuelës dhe qeverisë – sipas tij të ligjshme, – të presidentit Nicolas Maduro.

Ky i fundit është përfshirë në një debat të ashpër me “OAS”-në për shkak të kërkesave të opozitës në Venezuelë dhe referendumit për rrëzimin e tij nga pushteti. Kreu i “OAS”, Almargo tha se kriza institucionale në Venezuelë kërkon ndryshime në veprimet e ekzekutivit të vendit. Ai kërkoi gjithashtu një mbledhje emergjence të “OAS”, ku mund të përdoret Karta demokratike Ndërmerikane, me të cilën mund të pezullohet Venezuela nga organizata.

Sipas kësaj organizate, qeveria e Venezuelës duhet të mbajë përgjegjësi për krizën në vend. Por qeveria e Maduros mendon se s’ka asnjë faj dhe se, për gjithçka që shkon keq në vend janë përgjegjës opozita, biznesi dhe sigurisht SHBA.

Top Channel