Përvjetori i protestës, Tajvani-Kinës: Mos kini frikë nga demokracia

04/06/2016 00:00

Demokracia nuk është diçka së cilës duhet t’i druhesh – ishte mesazhi i përcjellë Pekinit nga presidentja tajvaneze në 27-vjetorin e masakrës së Tiananmenit. Tajvani, shkroi Tsai Ing-wen në faqen e saj të Facebook-ut, mund t’i shërbejë Kinës si shembull.

“Kam parë njerëz nga Kina dhe nga territoret kineze të Hong Kongut dhe Makaut të përzihen me turmat këtu tek ne. Ata e shohin me sytë e tyre se nuk ka asgjë të frikshme në një demokraci, përkundrazi”, vazhdon mesazhi i presidentes.

Ndërkohë, një turmë e madhe njerëzish u mblodh përpara memorialit të Chiang Kai-Shek në Tajpei për kremtimin e këtij përvjetori. Një disident kinez, Wu’er Kaixi u ngjit të fliste në podium, ndërsa të tjerët ndezën qirinj për viktimat e protestës studentore të shtypur me gjak 4 qershorin e 1989-s në Pekin.

Ushtria kineze dërgoi asokohe tanket në shesh. Ende sot nuk ka një shifër zyrtare të viktimave, të cilat grupet e të drejtave të njeriut llogarisin të kenë qenë me qindra e mbase edhe me mijëra.

Edhe pse dhuna në sheshin Tiananmen është e ndaluar të kujtohet në territorin e Kinës, në Hong Kong, i vetmi qytet i Kinës ku liritë civile mbrohen me formulen “një vend, dy sisteme”, shumë njerëz vazhdojnë të nderojnë sakrificën e protestuesve pro-demokracise të vrarë atë ditë.

Top Channel