Ali, funerali të premten në qytetin e lindjes; bota nderon legjendën

04/06/2016 00:00

Homazhe janë bërë në mbarë botën në nder të legjendës së boksit Muhammad Ali, që ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare.

Vetë presidenti Obama e ka vlerësuar atë si “njeriun që shkundi botën” dhe “bota është më e mirë falë tij”, ka thënë Obama.

Po ashtu, ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka shprehur prekjen e tij përmes një mesazhi në Twitter: “Lamtumirë miku im. Ishe një njeri i madh në shumë mënyra”.

Ndërkohë, në Luisvill, qytetin e tij të lindjes, banorët kanë vajtuar duke shtruar një tapet me lule deri përpara shtëpisë së tij.

Nga raportimet e fundit të mediave të huaja, që citojnë burime pranë familjes, legjenda e boksit do të varroset pikërisht në vendlindje, të premten e ardhshme.

“Jam e kënaqur që im atë nuk lufton më. Ai ndodhet tashmë në një vend më të mirë. Zoti është më i madhi”, ka qenë ndërkohë komenti i vajzës së tij, Maryum.

Ndërkohë, edhe legjendat e futbollit u janë bashkuar homazheve. “Ishte me të vërtetë më i miri i të gjitha kohërave”, kanë qenë fjalët e Diego Armando Maradona.

Ali, ka vijuar argjentinasi, “ishte i vetmi burrë që më dha mundësinë të shihja tim atë të qante, kur e pa përsë gjalli në ndeshjen mes Ray Sugar Leonard dhe Tommy Hearns në Las Vegas, në 1981”.

Ndërsa Pelè e cilëson atë “mikun, idhullin dhe heroin” e tij. “Bota e sportit ka pësuar një humbje të rëndë. Kemi kaluar shumë kohë bashkë dhe kemi qenë në kontakt në gjithë këto vite. Trishtimi është i madh. Uroj të prehet përkrah Zotit. Dashuri dhe forcë familjes së tij”, ka thënë Pelè në Facebook.

Top Channel