Tenis, Muguruza mposht Williams, triumfon në “Roland Garros”

04/06/2016 00:00

Spanjollja Garbine Muguruza arriti një fitore të rrallë ndaj Serena Williams, duke e çuditur e njëkohësisht zemëruar kampionen e tenisit. Me rezultatin e seteve 7-5 dhe 6-4, Muguruza mori hak për mposhtjen në finalen e Uimbëlldonit nga ylli i tenisit.

22-vjeçarja bëhet kështu e para spanjolle që ngre kupën Suzanne Lenglen, që prej Arantxa Sanchez në 1998-n. Williams nga ana e saj po shpresonte për një fitore e cila do t’i sillte titullin e 22-të në një turne “Roland Garros”, duke sfiduar kështu rekordin e Steffi Graff.

Kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme për Muguruza dhe karrierën e saj, e cila e nisi fuqishëm ndeshjen që në setin e parë dhe u përpoq ta mposhtte amerikanen 34-vjeçare në atë që ishte veç të tjerash edhe një betejë vullneti.

Muguruza i rezistoi mirë kundërshtares dhe shfrytëzoi sidomos një dobësi të saj në shërbim. Williams mbërriti në finale pavarësisht raporteve për probleme në këmbë dhe e nisi lojën në formë të mirë fizike, duke lëvizur lirshëm në fushë.

Top Channel