Djokovic-Murray finalja e Roland Garros

04/06/2016 00:00

Novak Djokovic dhe Andy Murray janë finalistët e turneut Roland Garros të këtij viti. Tenisti serb, që kërkon titullin e tij të parë në karrierë në turneun francez eliminoi në gjysmëfinale me shumë lehtësi Dominik Tim.

Numri 1 i renditjes botërore shpenzoi vetëm 1 orë e 48 minuta për të thyer kundërshtarin e tij në 3 sete. Dy setet e parë Djokovic i fitoi me rezultatin 6-2;6-1, ndërsa në të tretin Tim kërkoi të bëjë diçka më shumë, por Djokovic e fitoi këtë fraksion të lojës 6-4.

Ndërsa Andy Murray mundi në gjysmëfinale Stanislav Vavrinkën, fituesin e këtij turneu vitin e kaluar, për t’u bërë i pari tenist britanik që nga viti 1937 që arrin finalen e Roland Garros.

Murray zhvilloi një ndeshje pothuajse perfekte ndaj Vavrinkës, i cili nuk ishte ai i sezonit të kaluar. Britaniku i fitoi 2 setet e parë 6-4;6-2. Vavrinka shkurtoi diferencën duke fituar setin e tretë 6-4, por ai nuk mund të bënte asgjë më shumë. Në setin e katërt, murray shfaqi sërish superioritetin  e tij duke e fituar atë 6-2.

Sfida e së dielës do të jetë përballja e 34 mes Djokovic dhe Andy Murray me tenistin serb që ka një avantazh të dukshëm kundrejt numrit 2 të botës me 23 fitore kundrejt 10 të Murray. Për Djokovic, kjo finale do të jetë e katërta në Roland Garros dhe e 20 në total në Grand Slam, ndërsa Murray arrin në finalen e tij të 10 në total në turne të tillë.

Top Channel