Abrashi: Bëmë një lojë të mirë. Zvicra? S’i kemi frikë

03/06/2016 00:00

Amir Abrashi bëri një tjetër ndeshje të shkëlqyer me kombëtaren. Edhe pse u aktivizua vetëm për 45 minuta, ai vrapoi 6.5 kilometra, të dhëna që tregojnë për punën e madhe që bën.

Sidoqoftë, humbja në Bergamo të premten në mbrëmje nuk e ka lënë aspak të kënaqur, por që gjithsesi do të shfrytëzohet për t’u përmirësuar për ndeshjet e Europianit.

“Bëmë një lojë të mirë, por bëmë një gabim kur pësuam golin e parë. Kishim shumë raste, tentuam shumë, por fatkeqësisht nuk gjetëm golin. Kemi akoma kohë dhe do të stërvitemi më shumë që të mos bëjmë të njëjtat gabime në mbrojtje”, tha ai.

Mesfushori gjakovar që i tha jo Zvicrës për të veshur fanellën kuqezi të Shqipërisë, deklaroi se kuqezinjtë nuk e kanë frikë aspak kombëtaren “helvetike”.

“Ne nuk kemi frikë asnjë skuadër. E dimë shumë mirë që Zvicra është një skuadër e fortë, por ne nuk i kemi aspak frikë nga ata. Do të hyjmë në ndeshje për të dhënë maksimumin dhe urojmë që të marrim një rezultat pozitiv”, tha ai.

Top Channel