Sadiku: Merituam barazimin

03/06/2016 00:00

Armando Sadiku konfirmohet si njeriu i momentit në kombëtaren kuqezi. Ai shënoi golin e tij të pestë me fanellën e Shqipërisë dhe të dytin radhazi, por humbja në fushë ndaj Ukrainës ka bërë që të mos i gëzohet këtij suksesi. Sipas tij, kombëtarja meritoi të paktën barazimin.

“Kemi luajtur mirë dhe nuk e meritonim këtë rezultat, duhej të barazonim 2-2. Fati nuk ishte me ne, sidomos te krosi i Lenjanit që goditi shtyllën. Na vjen keq por duhet të dalim me kokën lart, të gjithë kemi dhënë maksimumin. Duhet të mendojmë pozitivisht se edhe pak ditë na pret Franca dhe duhet të jemi gati”, tha ai pas ndeshjes.

Pavarësisht formës së mirë në të cilën po kalon, Sadiku është gati të pranojë edhe stolin, nëse kështu vendosë trajneri De Biasi. Ai tha se do të vazhdojë të stërvitet dhe të japë maksimumin për kombëtaren.

“Unë jam profesionist. Unë nuk shikoj a luaj apo jo, stërvitem si në klub, si në kombëtare. Falënderoj trajnerin, stafin që më dhanë besimin. Kam luajtur dhe kam bërë maksimumin. Por pranoj vendimin e trajnerit, si të më lërë në pankinë, si në fushë, si 5 minuta. Kur të ketë nevojë, do të jem gati për të dhënë maksimumin”, shtoi ai.

Sadiku konfirmoi se gjatë vitit kishte punuar me trajner personal si për përgatitjen fizike, ashtu edhe atë psikologjike. “Mendoj se trajneri psikologjik është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër”, theksoi sulmuesi.

Top Channel