Olimpiada “Rio 2016”, bota nderon “kombin” më të ri

03/06/2016 00:00

Për herë të parë në Lojërat Olimpike do të marrë pjesë “ekipi i refugjatëve”, një skuadër e sapokrijuar nga vet Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, i cili ka vendosur që t’u japë të drejtën të provojnë ëndrrën e tyre 10 sportistëve në Olimpiadën e Londrës.

Gjithçka u bë zyrtare ditën e premte, pasi u shkurtua lista paraprake ku përfshiheshin 43 sportistë. Kjo skuadër do të ketë edhe 15 zyrtarë, që do ta shoqërojnë, ndërkohë që do të parakalojë me flamurin olimpik gjatë ceremonisë së hapjes në stadiumin “Marakana”.

Ekipi është i përbërë nga 6 meshkuj dhe 4 femra. Rami Anis është një notar sirian që jeton në Belgjikë; Jiesh Pur Biel, atlet i garave të 800 m nga Sudani i Jugut, dhe bashkëkombasi i tij Xhejms Njiank Ciengijek, specialist i garave të 400 metrave. Paulo Amotun Lokoro, garues i garave të 1500 m, Jomas Kinde nga Etiopia do të marrë pjesë në maratonë, ndërkohë që Popol Misenja nga Republika Demokratike e Kongos do të marrë pjesë në xhudo për peshën 90 kg.

Dy nga 4 femrat janë nga Sudani i Jugut, Anjelina Nada Lohalit, e përzgjedhur për garën e 1500 m dhe Rose Natink Lokonien për garën e 800 m. Joland Bukasa Mabika, e cila la Republikën Demokratike të Kongos për të kërkuar azil në Belgjikë në vitin 2013, do të marrë pjesë në xhudo për peshën 70 kg. 18-vjeçarja Jursa Madrinia, e cila la Sirinë për të emigruar në Gjermani, shpreson të bëjë më të mirën e saj në pishinën e notit.

“Këta refugjatë nuk kanë shtëpi, skuadër, flamur dhe himn kombëtar. Për ta ne kemi hapur dyert e fshatit olimpik, ku do të qëndrojnë së bashku me atletët e tjerë. Himni olimpik do të luhet për nder të tyre dhe flamuri olimpik do t’i udhëheqë në parakalimin e Olimpiadës”, ka thënë presidenti i Komitetit Olimpik, Tomas Bah.

Top Channel