Samiti i NATO-s në Varshavë, Polonia rekruton plot 35 mijë paraushtarakë

03/06/2016 00:00

Që prej shtatorit të këtij viti, Polonia do të nisë të rekrutojë plot 35 mijë paraushtarakë për të formuar një forcë mbrojtëse për shkak të tensioneve me Rusinë. Lajmi është bërë i ditur nga vet ministri i Mbrojtjes, Antoni Maciereëicz, i cili theksoi se pozicionet drejtuese të “Forcës së Mbrojtjes Territoriale” tashmë janë përcaktuar.

Kjo forcë do të ketë vullnetarë civilë të trajnuar me aftësi sipas specifikave ushtarake, si dhe do të ketë për qëllim të zmbrapsë ndonjë betejë “hibride” të llojit krimean, që shkaktuan ndarjen e një territori ukrainas nga vendi dhe premtimit të besnikërisë ndaj Rusisë.

Veç përpjekjeve të Polonisë, edhe aleanca ushtarake atlantiko-veriore NATO do të japë kontributin e saj në përforcimin e vendit kufitar me Ukrainën.

Do të jetë pikërisht një batalion i NATO-s, që do të zhvendoset në Poloni, ndërsa 3 batalione të tjera do të vendosen në shtetet fqinje të Baltikut: Estoni, Letoni, Lituani. Numri i përgjithshëm i trupave që do të dërgohen në këto misione pritet të jetë rreth 4.000, të cilët do të alternohen me kalimin e kohës.

Detajet e dërgimit të këtyre batalioneve do të përfundohen pikërisht në Samitin e NATO-s, që do të zhvillohet në Varshavë më 8 dhe 9 korrik. Pas këtij samiti do të vendoset se cilat shtete anëtare të NATO-s do të dërgojnë trupa për të forcuar praninë ushtarake të aleancës në Lindje, pranë kufirit rus.

Aneksimi i gadishullit krimean nga Ukraina prej Rusisë në mars të vitit 2014 dhe kryengritja e rebelëve prorusë në Lindje të Ukrainës dërguan një valë paralajmërimi te vendet anëtare të NATO-s, të cilat kanë qenë dikur pjesë e bllokut sovjetik. Ndërkohë, Rusia ka dërguar raketa me aftësi bërthamore “Iskander-M” në bazën e Kaliningradit, një territor mes Polonisë dhe shteteve baltike, duke e bërë edhe më të nevojshme praninë e aleancës në Lindje.

Top Channel