Plastika, vrasëse për peshqit

03/06/2016 00:00

Peshqit i hanë sendet plastike në det, ashtu siç konsumojnë adoleshentët sot ushqimet jo të shëndetshme të “Fast Food”-eve, thonë studiuesit suedezë.

Hulumtimi i botuar nga revista “Science” tregon se, grimcat e plastikës në oqeane e dete po i ngordhin peshqit përpara se të arrijnë moshën e riprodhimit.

Shumë prej tyre preferojnë copëzat e vogla plastike dhe jo ushqimin natyral, çfarë i çon praktikisht drejt ngordhjes nga uria. Problemi në rritje i grimcave të materialeve polimere, pasojë kjo e industrisë moderne, është menduar prej vitesh se ndikonte te peshqit, por studimi suedez është i pari që dëshmon shkallën e dëmit real.

Në mjedisin natyror, mikroplastika është pothuajse e pashkatërrueshme. Pjesëzat e saj hyjnë në oqeane me derdhjen e mbeturinave që përmbajnë edhe qese plastike, ambalazhe apo objekte të tjera të përdorimit të përditshëm.

Një tjetër burim janë dhe thërrmijat e plastikës së fortë të përdorur në industrinë kozmetike. Bëhet fjalë për produkte të lidhura me kujdesin vetjak, të cilat nuk përfshijnë vetëm pastat e dhëmbëve apo sfungjerët e trupit.

Disa lloje rimelesh e buzëkuqi përmbajnë gjithashtu grimca të tilla, thotë bashkautorja e studimit, Oona Lonnstedt. Copëza plastike janë gjetur, përveç peshqve, edhe te pulëbardhat që i gëlltisin këto materiale, por nuk i tresin dot, e me kalimin e kohës ato grumbullohen në sistemin e tyre tretës.

Top Channel