Turqia ul tonet me Gjermaninë: Mos prisni të përkeqësohen më tej marrëdhëniet tona

03/06/2016 00:00

Edhe pse nxitoi ta cilësonte një “gabim historik” votën e Bundestagut gjerman, që e njeh masakrën e armenëve në 1915-n si gjenocid, kryeministri turk u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk do të cënohen.

Askush nuk duhet të presë një përkeqësim të beftë të marrëdhënieve tona për shkak të një vendimi të tillë, deklaroi Binali Yildirim. Turqia tërhoqi një ditë më parë ambasadorin e saj në Gjermani, pas aprovimit të rezolutës që tërboi Ankaranë.

Ajo premtoi gjithashtu të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të nevojshëm në këtë situatë. Në rezolutën e miratuar thuajse njëzëri, me vetëm një votë kundër e një abstenim, thuhet se vrasjet e armenëve dhe të minoriteteve të tjera të krishtera para 100 vitesh kanë qenë sistematike dhe të qëllimshme, gjë që e justitifikon kategorizimin e tyre si “gjenocid”.

Para miratimit të saj, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pati deklaruar se nisma mund të dëmtojë “lidhjet diplomatike, ekonomike, tregtare, politike dhe ushtarake” midis Turqisë dhe Gjermanisë. Megjithatë, disa vëzhgues u shprehën që në fillim se, janë të pakta gjasat që rezoluta do të shkaktojë vërtet një krisje në marrëdhëniet e Gjermanisë me Turqinë, duke qenë se ajo nuk pasohet nga hapa juridikë.

Top Channel