Abuzimi me tigrat, murgjit pritet të paditen

03/06/2016 00:00

Autoritetet për mbrojtjen e kafshëve në Tajlandë thanë se do të ngrenë akuza kriminale ndaj tempullit budist ku u gjetën 40 këlyshë tigri të ngordhur. Zbulimi i trishtë u bë gjatë operacioneve për të larguar nga tempulli 137 tigra që nga murgjit budistë përdoreshin për biznes.

Sipas autoriteteve, murgjit e tempullit do të paditen për trafikim dhe abuzim kafshësh, si specie në rrezik. Këto dyshime kanë qenë të pranishme prej vitesh, por murgjit refuzonin që të bashkëpunonim me autoritetet, derisa së fundmi u përballën me një urdhër gjykate dhe nuk mund të bënin më asgjë.

Autoritetet thanë se po përpiqen të zbulojnë nëse tigrat e ngordhur janë këlyshët e tigrave që po shpëtohen nga tempulli dhe nëse rezulton kështu, një tjetër akuzë i shtohet murgjve budistë, mbarështim i jashtëligjshëm kafshësh.

Sipas mediave vendase, por edhe autoriteteve, murgjit shfrytëzonin vendin turistik ku gjendej tempulli për të fituar shumë para. Vizitorët në tempull paguanin biletë për të hyrë brenda, diçka e ndaluar jo vetëm me ligj, por edhe me norma fetare.

Ata gjithashtu duhej të paguanin për të bërë fotot me kafshët apo për t’i ushqyer ato, një eksperiencë që nga tempulli shitej me mjaft fitime.

Top Channel