Gjenocidi armen, Gjermania e njeh ndërsa Turqia tërheq ambasadorin

02/06/2016 00:00

Aprovimi i rezolutës që e shpall gjenocid vrasjen masive të armenëve nga otomanët gjatë Luftës së Parë Botërore, i miratuar nga “Bundestag”-u gjerman, krijoi një situatë të tensionuar në radhët e politikës turke.

Ankaraja tërhoqi ambasadorin e saj nga Gjermania. Ministria e Jashtme turke tha se, vendimi ishte “i turpshëm”, duke e cilësuar rezolutën si shembull të injorancës dhe mosrespektimit të ligjit. Ndërsa nga ana e saj, Kancelarja Angela Merkel u mundua të zbuste reagimin e Ankarasë.

“Ka shumë gjëra që lidhin Gjermaninë me Turqinë, edhe nëse ne ndajmë mendime të ndryshme për çështje të caktuara. Përmasat e gjëra të lidhjeve tona strategjike dhe miqësisë sonë janë të mëdha”, tha Angela Merkel.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Qeveria armene e mirëpriti aprovimin e kësaj rezolute nga ana e Parlamentit gjerman. Për analistët, ky vendim u ndërmor në një moment delikat, pasi më shumë se asnjëherë, jo vetëm Gjermania por e gjithë Europa ka nevojën e Turqisë për të reduktuar fluksin e refugjatëve sirianë.

Ankaraja njihet për qëndrimet e saj ekstreme, kur i cënohen interesa kombëtare. Këtë e konfirmoi edhe Presidenti i vendit Recep Tayyip Erdogan, i cili tha se tërheqja e ambasadorit të tyre nga Gjermania është vetëm fillimi.

Top Channel