Kosovë, sulmohet me armë zjarri komuna e Mitrovicës

02/06/2016 00:00

Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës është vënë në shënjestër të një sulmi me armë zjarri. Persona të panjohur qëlluan me 6 plumba në drejtim të godinës, duke thyer xhamat e disa dritareve në katin e tretë të saj. Fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 2:00 të së enjtes, ndërsa motivi dhe autorët e këtij sulmi ende nuk dihen. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti ka bërë të ditur se po vijojnë përpjekjet për identifikimit e personave të dyshuar.

“Rreth orës 8:00 të mëngjesit, policia ka marrë informacionin se objekti i Komunës është dëmtuar. Deri tani, në vendin e ngjarjes policia ka identifikuar 6 gëzhoja, të cilat dyshohet të jenë të një pistolete të kalibrit të vogël. Si pasojë e shkrepjes së këtyre gëzhojave janë dëmtuar disa zyra të Komunës por nuk bëhet fjalë për persona të lënduar. Rasti është duke u trajtuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe procedurat vazhdojnë drejt identifikimit të personave të dyshuar”, ka thënë Zahiti.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në Mitrovicë, Naim Hajra, zyrat e të cilit u goditën nga plumbat, ka mohuar që sulmi i drejtohej ekskluzivisht departamentit të tij. Por siç tha, ky incident mund të shkaktojë pasiguri te punëtorët e tij dhe të komunës në përgjithësi.

“Sigurisht që është ndjesi jo e mirë kur njeriu vjen në mëngjes në punë dhe sheh se aty ka plumba dhe mjete të forta që kanë shkaktuar dëme. Sigurisht që prodhon një pasiguri te punonjësit e Komunës. Prej asaj që shihet dhe nga kontakti me policinë, supozohet se ky është një sulm ndaj objektit të Komunës dhe jo ekskluzivisht ndaj Drejtorisë së Inspektimit”, theksoi Hajra.

Top Channel