Hoti: Kaq shumë veteranë rrezikojnë marrëveshjen me FMN-në

02/06/2016 00:00

Numri i madh i veteranëve të luftës që ka rezultuar pas verifikimit mund të vërë në rrezik marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Janë plot 46.230 veteranë në total, një shifër që ka tejkaluar parashikimet e qeveritarëve për numrin e pjesëmarrësve në luftën e UÇK-së.

Mustafa e deklaroi një ditë më parë shqetësimin e tij për këtë rezultat të dalë nga komisioni i verifikimit të statusit të veteranit, ndërkohë që ministri i Financave Avdullah Hoti shkoi edhe përtej shqetësimit, duke thënë se ai numër rrezikon marrëveshjen me FMN-në.

Hoti tha se, deri në muajin maj janë paguar mbi 23 mijë veteranë, ndërkohë që janë edhe 2-3 mijë të tjerë që kanë aplikuar për marrjen e pensionit, kërkesat e të cilëve janë duke u proceduar më tej.

“Ky numër i veteranëve ka dalë jashtë çdo parashikimi që ne kemi marrë fillimisht nga Komisioni për Verifikimin e Statusit të Veteranëve, në gusht-shtator të vitit të kaluar. Atëherë kur kemi rënë dakord që të fillojmë pagesën e këtyre, vlerësimet kanë qenë se nuk mund të shkonim te një numër që kalonte 12-13 mijë maksimumi, ndërkaq në maj, para disa ditësh, ne kemi paguar mbi 23 mijë veta”, theksoi Hoti.

Ai tha se çdo zgjidhje në vijim duhet të jetë në nivel Qeverie, Kuvendi dhe mbi të gjitha në rakordim të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Për këtë kategori, ministri Hoti tha se janë planifikuar 25 milionë euro, por sipas tij kjo shifër është e pamjaftueshme krahasuar me dyfishimin e numrit të veteranëve.

“Tashmë numri i atyre që kanë përfituar pension në maj është dyfish, krahasuar me numrin që është planifikuar fillimisht. Nuk e dimë deri në fund të vitit sa prej këtyre 46 mijë do të kërkojnë të marrin pensionin bazë. Marrëveshja me FMN-në është në rrezik, ne duhet të jemi të kujdesshëm sesi do të trajtojmë koston që vjen nga ky numër kaq i madh i veteranëve të luftës. Do të ulemi të diskutojmë me FMN-në dhe me të gjithë palët e interesit përfshirë edhe veteranët, shoqatat e veteranëve dhe Komisioni qeveritar, që ka verifikuar statusin e veteranëve, dhe të shohim cila është zgjidhja për këtë çështje”, tha ministri Hoti.

Top Channel