“Do të duhet kohë për t’i ‘fshirë’ militantët e ISIS”

02/06/2016 00:00

Pavarësisht avancimit ndaj fortesave të ISIS-it në Siri dhe Irak, në asnjërin prej këtyre dy vendeve nuk ka pasur deri tani ndonjë goditje të qenësishme të grupit, e do të duhet kohë për t’i fshirë militantët prej andej.

Ky është mendimi i disa analistëve nga Lindja e Mesme, të cilët po ndjekin me kujdes lëvizjet e forcave të shumta të angazhuara në fronte që shtrihen në të dy shtetet.

Trupat qeveritare irakiane, të ndihmuara dhe nga sulmet ajrore të koalicionit, kanë fituar terren gjatë ofensivës në Falluxha dhe zonat përreth saj.

Ushtarët e regjimit sirian nga ana tjetër dhe luftëtarë të mbështetur prej Shteteve të Bashkuara kanë nisur t’i afrohen kryeqytetit të Kalifatit, Raqqa-së. Po nuk u çlirua kjo e fundit, thonë ekspertët, e po nuk u mor Mosuli, qyteti i dytë më i madh i Irakut, nuk do të flitet dot për rezultate madhore të fushatës anti-ISIS.

“Lufta në të dy këto vende, ka shumë dimensione e kjo e ndërlikon situatën. Secili po përpiqet t’i përmirësojë gjërat në nivel lokal. Edhe pse ka humbur territore, ISIS-i është ende i aftë të ndërmarrë sulme vetëvrasëse e kundërofensiva. Zgjidhja e vetme në këtë situate do ishte çrrënjosja e ideologjisë ekstremiste”, u shpreh Musa Hamad Qallab, analist, Dubai.

“Shteti Islamik ka përfituar nga përçarjet e mëdha për të forcuar pozitat e tij në Irak. Vetëm kur të gjitha partitë të pajtohen me politikat qeveritare, vendi do të jetë në gjendje të ripërtërijë ekonominë e tij, të përmirësojë sigurinë e ta heqë qafe ISIS-in një herë e mirë”, thotë Mohammed al-Ghwainem, analist politik, Riyadh.

Sipas ekspertëve, problemin kryesor në mposhtjen e ISIS-it e përbën fakti që ai vepron në mënyrë të nëndheshme dhe mbështetet nga njerëzit. Edhe po u shkatërrua organizata, shprehen ata, individët që ndjekin ideologjinë e Shtetit Islamik nuk do të mund të vriten të gjithë, por do të fshihen për t’u rishfaqur më vonë sërish.

Top Channel