E ardhmja e BE-së, Tusk: Të përqendrohemi tek unioni bankar

02/06/2016 00:00

Bashkimi Europian duhet të heqë dorë nga “ëndrrat utopike” të një integrimi akoma më të ngushtë si mënyrë për të luftuar euroskeptikët.

Në vend të kësaj, thotë Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, liderët e bllokut duhet të përqendrohen tek masat praktike, siç është forcimi i kufijve dhe unioni bankar.

“Nuk ka ogur më të zi për ekonominë europiane sesa triumfi i forcave politike anti-liberale dhe euroskeptike, qofshin këto të së majtës apo të së djathtës. Ne duhet dhe ne mundemi ta shmangim një skenar të tillë”, tha Tusk.

Tusk nuk la pa përmendur dhe njërën prej çështjeve më shqetësuese të momentit për BE-në, referendumin britanik e paralajmëroi për “pasoja dramatike” në rast shkëputje nga Bashkimi Europian. Krerëve të bllokut, Tusk u kërkoi t’i kundërpërgjigjen me të njëjtën energji dhe përpjekje atyre që kërkojnë përçarjen e Unionit.

Me zërat paralajmërues ndaj një vote për largim u bashkua dhe kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy.

Gjatë një fjalimi në Madrid, ai tha se britanikët do ta humbisnin në këtë mënyrë të drejtën e tyre të lëvizjes së lirë, si dhe mundësinë për të punuar e bërë biznes pa vështirësi në zonën më të madhe ekonomike të botës. Mbi 300.000 britanikë banojnë aktualisht në Spanjë, 35% e të cilëve janë pensionistë.

Top Channel