Përmbytje në Gjermani, dëme edhe në Francë dhe vende të tjera

02/06/2016 00:00

Përrenjtë u shndërruan në lumenj në jug të Gjermanisë, e ujërat e rrëmbyer i kanë marrë me vete makinat nëpër rrugë si te ishin lodra fëmijësh. Bilanci i vdekjeve është të paktën katër. Dy persona rezultojnë të zhdukur, dëmet materiale janë të mëdha, ndërsa me mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.

“Uji erdhi shumë shpejt, kati i parë u përmbyt në vetëm pesë minuta. Shpëtuam sepse u ngjitëm në papafingo, nxorëm rroba të kuqe në dritare e i valëvitëm që njerëzit t’i shihnin e të vinin të na ndihmonin. Pas gati tre orësh nipi im arriti u ngjit në çati e atëherë reagoi helikopteri”, thotë Martina Geibhauser, banore.

Shumë lumenj kanë dalë nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura si asnjëherë më parë gjatë këtyre javëve të fundit.

Disa pjesë të Francës qendrore gjithashtu janë përballur me përmbytjet më të mëdha prej një shekulli të tërë.

Trupi i pajetë i një të moshuare u gjet në shtëpinë e saj të mbuluar nga uji. Me mijëra vetë janë evakuuar në rajonet e prekura, ndërsa ekipet e emergjencës kanë marrë po ashtu me mijëra telefonata për ndihmë.

Më e keqja nuk ka kaluar ende dhe Franca qendrore përgatitet për një tjetër rritje të nivelit të lumenjve, edhe kështu jashtë të zakonshmes.

Kryeministri Manuel Valls vizitoi të mërkurën zonën më të goditur prej furisë së motit, atë të Nemourit, ku vërshime të tilla ujërash që kanë mbuluar krejtësisht qendrën e qytetit, nuk ishin parë që prej vitit 1910.

Top Channel