Roland Garros, Wawrinka-Murray në gjysmëfinale

02/06/2016 12:10

Andy Murray-Stanislav Wawrinka do të jetë sfida e parë gjysmëfinale e turneut të Roland Garros. Tenisti britanik eliminoi në çerekfinale francezin e fundit të mbetur në turneun parizien, Richard Gasquet, duke e mposhtur 3-1. Gasquet e nisi mjaft mirë përballjen, teksa fitoi setin e parë 7-5. Por Murray reagoi dhe barazoi rezultatin duke fituar setin e dytë 7-6. Seti i e tretë dhe i katërt nuk patën shumë histori, me britanikun që ishte dominues, duke i fituar ata 6-0 dhe 6-2.

Ndërsa Wawrinka, kampioni në fuqi i Roland Garros, u kualifikua për në gjysmëfinale pasi mposhti spanjollin Albert Ramos Vinolas. Zvicerani nuk e vuri në dyshim asnjëherë këtë fitore dhe e mbylli takimin me rezultatin 3-0. Dy setet e parë, Wawrinka i fitoi me shumë lehtësi 6-2 dhe 6-1, ndërsa në të tretin hasi në një rezistencë më të madhe të Ramos dhe fitoi këtë fraksion të lojës me “tiebreak” 7-6.

Në kampin e femrave, Garbine Muguruza dhe Samanta Stosur janë ato që prenë të parat biletën për në gjysmëfinalen e Roland Garros. Tenistja spanjolle eliminoi në çerekfinale amerikanen Rogers 2-0. Muguruza e pa veten në disavantazhin 3-5 në setin e parë, me Rogers që shërbente për ta fituar atë. Por spanjollja e ktheu situatën në favorin e saj duke fituar 4 “game” radhazi, për të fituar këtë set 7-5.

Seti i dytë ishte më i lehtë për Muguruzën, e cila e fitoi atë 6-3. Ndërsa Samanta Stosur eliminoi në çerekfinale bullgaren Pironkova, ndaj së cilës fitoi në 2 sete 6-4 dhe 7-6.

Top Channel