Në prag të Europianit, Shqipëria ngjitet 3 vende në renditjen e FIFA-s

02/06/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare fiton 3 pozicione në klasifikimin e përmuajshëm të përpiluar nga FIFA.

Këtë radhë skuadra jonë përfaqësuese që fitoi në ndeshjen miqësore me Katarin përpara disa ditësh e sheh veten në vendin e 42 me 667 pikë, ndërkohë që në renditjen e mëparshme ajo gjendej në vendin e 45.

Për sa u përket skuadrave që janë në grupin e kombëtares në Euro 2016, Franca është ngjitur në vendin e 17, Zvicra ra një shkallë në klasifikim duke u pozicionuar e 15, ndërsa Rumania e sheh veten në vendin e 22.

Klasifikimin e përgjithshëm të FIFA vazhdon ta kryesojë Argjentina me 1503 pikë, duke lënë pas krahëve Belgjikën që është e dyta me 1384 pikë, ndërsa e treta është Kolumbia.

Gjermania, skuadra kampione e botës, fitoi një pozicion dhe u ngjit në vendin e katërt, ndërkohë që Kili zbret në vendin e pestë.

Nuk ndryshon pozicion skuadra kampione ne fuqi e Evropës, Spanja që është në vendin e 6. Pozicione fituan edhe Austria e Italia që u ngjitën respektivisht në vendin e 10 dhe të 12, ndërkohë që mes tyre në vendin e 11 është Anglia.

Top Channel