Zyrtare: Gundogan te Manchester City

02/06/2016 11:55

Ilkay Gundogan është futbollist i Manchester City. Lajmi u zyrtarizua si nga Borusia e Dortmundit ashtu edhe nga klubi anglez, nëpërmjet komunikatave për shtyp në faqet e tyre të internetit. Citizens në njoftimin e tyre bënë të ditur se mesfushori 25-vjeçar nënshkroi me klubin një kontratë 4-vjeçare.

Manchester City në komunikatën e tij nuk e publikon shifrën e transferimit të Gundogan në “Etihad Stadium”, por sipas medias, drejtuesit e këtij klubi pranuan të derdhin në arkat e Dortmundit 20 milionë paundë, shifër së cilës do t’i bashkohen edhe disa bonuse të tjera.

Për të siguruar shërbimin e Gundoganit, Manchester City mundi konkurrencën e skuadrave të tilla si Barcelona dhe Juventusi, që ishin vënë prej kohësh në ndjekje të tij.

“Jam i emocionuar për kalimin te Manchester City. Kur mësova për interesin e kësaj skuadre mendova menjëherë për këtë transferim dhe bisedimet përfunduan shumë shpejt. Te Borussia Dortmud ia kam kaluar shumë mire dhe dua të falenderoj klubin dhe tifozët për gjithçka që kam përjetuar gjatë 5 viteve të qëndrimit atje. Tani do të përjetoj një sfidë të re me Manchester City dhe mezi po pres që të nis punën me trajnerin Guardiola”, tha Gundogan në një intervistë në faqen zyrtare të City.

Top Channel