“Ndihmat humanitare në Siri të lëshohen nga ajri”

02/06/2016 10:05

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca i kërkuan OKB-së që të nisë parashutimin e ndihmave humanitare në zonat e rrethuara të Sirisë. Këto fuqi perëndimore thanë se, pavarësisht angazhimit të mëparshëm, qeveria siriane nuk respektoi 1 Qershorin si afatin final për të shpërndarë ndihma, sipas një plani të miratuar nga fuqitë botërore dhe ato rajonale.

Këshilli i sigurisë i OKB-së do të mblidhet të premten për të diskutuar pikërisht për dërgimin e ndihmave nga ajri. Vetëm një sasi e vogël ndihme u dërgua të mërkurën dhe karvani që mbërriti në qytetin e Darajas, në afërsi të Damaskut, nuk kishte ushqime. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, me mijëra sirianë kanë nevojë për ndihmë konstante dhe dërgesa të tilla sporadike nuk hyjnë në punë për asgjë. Në të njëjtin kuadër, Londra e cilësoi cinike lëvizjen e qeverisë siriane për të lejuar vetëm sasi shumë të vogla ndihme, duke pretenduar se po respekton paktet.

Pavarësisht se lëshimi i ndihmave nga ajri është i kushtueshëm dhe i ndërlikuar, kjo është rruga e vetme që ka mbetur, sipas Britanisë, një pranim “de facto“ se plani i mëparshëm për ndihmë të pakufizuar humanitare ka dështuar. Ndërkohë, koordinatorët e OKB-së në terren thonë se qeveria siriane i ka injoruar kërkesat e tyre për të dërguar ndihma në zonat e rrethuara, madje edhe kur është shprehur publikisht dakord, është gjetur një justifikim për të ndaluar kamionët.

Sipas OKB-së, 4,6 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente në Siri, ndërsa 600 000 prej tyre janë në kushte ekstreme dhe mbijetojnë nga dita në ditë në zonat e rrethuara.

Top Channel