Degustimi i pjatave unike në 50 metra lartësi do të ishte një takim i paharrueshëm për çiftet.

“Dinner in the sky” apo darkë në qiell, eksperienca e veçantë e shpikur në Bruksel në vitin 2006, shënon 10-vjetorin me 10 tryeza që akomodojnë 220 persona e që qëndrojnë pezull në ajër pranë Atomiumit të famshëm i ndërtuar gjatë panairit të vitit 1958.

Pasi darkuesit lidhen me rrip, tryezat ngrihen në mënyrë simultane nga vinçat deri sa pamja e ndërtesave të Brukselit dhe gjelbërimit të jetë e qartë. Të ftuarit mund të shijojnë specialitete të cilësisë më të lartë të gatuara nga shefa kuzhine të vlerësuar me yje Michelin.

“Ky vit është special pasi jemi 10 shefa kuzhine të mbledhur bashkë nën të njëjtin qiell, prandaj është shumë emocionuese”, tha njëri prej shefave të kuzhinës.

Darka e veçantë ku përfshihen 5 pjata e gjithashtu verë e shampanjë kushton 275 euro.

“Lartësia më frikëson pak por qetësohem disi kur shikoj madhësinë e kabujve që na mbajnë. Gjithsesi pas 2 gotave verë jam i relaksuar dhe çdo gjë shkon mirë”, tha një që po darkonte.

Eksperienca unike u krijua në Bruksel nga David Ghysels në vitin 2006 dhe që prej atëherë mund të përjetohet edhe në 56 vende të tjera të botës. Rreth 4500 të ftuar pritet të marrin pjesë në eventin 4 ditor.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel