Pele shet gjithçka

02/06/2016 00:00

Legjenda e futbollit botëror dhe njëkohësisht i cilësuar si futbollisti i shekullit, Pele, ka vendosur të shesë të gjithë jetën e tij sportive.

Sendet e fituara dhe të dhuruara gjatë një karriere prej rreth 6 dekadash janë nga më ekzotiket dhe më të rrallat, përfshirë këtu dhe tre medaljet e arta të tre Botërorëve të fituar, si i vetmi sportist në historinë e futbollit.

Emri i tij i plotë është Edson Arantes do Nascimento dhe duket se problemet financiare e kanë shtyrë të shesë gjithçka ka marrë në karrierën si futbollist, e cila fillon nga viti 1956, kur ai ishte vetëm 15 vjeç dhe filloi të luante për Santosin.
 
Një kopje e Kupës së Botës është sendi më me vlerë që ai ka dhe që vlerësohet rreth 420.000 dollarë. Medaljet e arta mendohet të kushtojnë 141.000 dollarë secila dhe topi që shënoi golin e 1000 në karrierë mund të shitet mbi 42.000 dollarë.

Vitin e shkuar Pele u shtrua në spital pas disa problemeve shëndetësore, megjithatë nuk dihet ende nëse ky vendim i marrë prej tij ka një qëllim biznesi apo arsye shëndetësore.

“Ka disa arsye, por më kryesoret i di vetë ai”, thotë një nga përfaqësuesit e kompanisë që është përzgjedhur për ankandin, i cili do të zhvillohet këtë muaj në Londër.

Ndërkohë, vetë Pele thotë se ky ishte një vendim shumë i vështirë për t’u marrë, megjithatë këto sende kanë një vlerë shumë të madhe historike dhe si rrjedhojë është shumë më mirë të ndahen me të gjithë botën sesa të mbahen nga unë. “Sigurisht që kjo gjë ndihmon edhe kauzën time personale”, shton Pele.

Top Channel