Spanja “tregon dhëmbët”, tenis me Korenë e Jugut

01/06/2016 00:00

Spanja tregoi se nuk ka ndërmend që të heqë dorë lehtësisht nga titulli kampion i Europës, që e mban prej 2012, pas finales ku shkatërroi 4-0 Italinë.

Iberikët kaluan me sukses testin ndaj Koresë së Jugut, një ndeshje jo dhe aq miqësore, duke patur parasysh faktin që shumë spanjollë nuk e kanë harruar ende atë eleminim nga aziatikët në botërorin e 2002, që zhvillohej në Korenë e Jugut dhe Japoni.

Skuadra e drejtuar nga Del Boskue fitoi me rezultat tenistik 6-1. Serinë e golave e hapi David Silva në minutën e 30. Dy minuta më vonë Fabrekas dyfishon rezultatin, ndërsa Nolito vulos rezultatin 3-0 për pjesën e parë.

E dyta nis aty ku u mbyll e para, vetëm se këtë herë rrugën e golit e gjen sulmuesi më i përfolur në merkato, Morata. Pas Moratës shënon sërish Nolito, golin e dytë personal dhe të pestin për Spanjën.

Koreano-jugorët ruajnë disi nderin me Ju Se-Jong në minutën e 83, ndërsa në minutat e mbetura pati kohë edhe për golin e dytë të Moratas.

Spanja bën pjesë në grupin D të Euro 2016, së bashku me Turqinë, Kroacinë dhe Republikën Çeke, ndërsa janë edhe rivalët tanë në fazën kualifikuese për botërorin rus, së bashku me Italinë, Izraelin, Maqedoninë dhe Lihtenshtejnin.

Top Channel