Tifozët kundër De Biazit; Ish-trajnerët: Gjithmonë ka reagime

01/06/2016 00:00

Lista e De Biazit ka shkaktuar reagime, sidomos të tifozerisë kosovare duke qenë se katër të mbeturit jashtë janë kosovare. Por ish-trajnerët e kombëtares Astrit Hafizi dhe Shpëtim Duro, qetësojnë situatën duke thënë se çdo zgjedhje do të shkaktojë reagime, duke shtuar se futbollistët kosovarë do ta kenë derën e kombëtares të hapur.

Lënia jashtë euro 2016 e 4 lojtarëve duket se krijuar pakënaqësi tek tifozët, të cilët në rrjete sociale dalë hapur kundra zgjedhjeve të De Biasit. Madje, duke qenë se të 4 janë me origjine nga Kosova, shumë prej tifozëve u bëjnë thirrje të vijnë të aktivizohen me kombëtaren e shtetit më të ri të Europës. Ndërkohë ish trajneri i kombëtares Astrit Hafizi tenton të qetësojë disi situatën.

“Për mua nuk ka mbaruar karriera e këtyre lojtarëve, janë lojtarë të rinj, derën e kombëtares e kanë gjithmonë të hapur. Aty ka edhe lojtarë të mesfushës që adaptohen edhe në mbrojtje, prandaj besoj se ka bërë këtë zgjedhje.”-shprehet Hafizi.

Ndërsa Shpëtim Duro thotë, “Në qendër të mbrojtjes janë tre futbollistë, Mavraj, Canaj dhe Ajeti. Nga këto tre do të luajnë vetëm dy, sigurisht për tre ndeshje është e populluar.

Duke qenë në të kaluarën drejtues të kombëtares, Hafizi dhe Duro e dinë përgjegjësinë që ka trajneri i përfaqësueses. Ata pohojnë se zgjedhjet e tij, kushdo qoftë ai do të sjellin vazhdimisht kontestime dhe pakënaqësira.

“Është vendim i trajnerit, vendim pa kontestime nuk ka. Nuk paragjykoj Veselin, është një futbollist që nuk e njeh askush, nuk ka pasur minutazh me ekipin kombëtar.”- thotë Duro.

“Është një zgjedhje e tij që duhet ta respektojmë. Nëse do të ishte për vendimet e mia personale, mund të mos kisha marrë gjysmën e tyre në kombëtare.”- thotë Hafizi.

Përsa i përket përfaqësimit tonë në Euro 2016, dy ish drejtuesit e skuadrës kuqezi kanë pohuar se kjo skuadër e ka arritur synimin me vajtjen në finalet e Francës.

Top Channel