Publikohet axhenda e takimit ndërqeveritar mes Kosovës dhe Shqipërisë

01/06/2016 00:00

Mbledhja e tretë e përbashkët e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, do të mbahet më 3 qershor në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, vend që tashmë i ka përfunduar përgatitjet për të pritur delegacionin shqiptar, teksa priten të nënshkruhen 7 marrëveshje në fusha të ndryshme mes tyre.

Sipas axhendës së kësaj mbledhjeje, delegacioni shqiptar do të mbërrijë në pikën kufitare të Vërmicës në orën 10:00, ku do të pritet nga zv.kryeministri Kujtim Shala dhe Protokolli i Shtetit.

Në orën 11:00, delegacioni shqiptar do të mbërrijë në Bibliotekën Kombëtare dhe brenda 5 minutave do bëhet radhitja e kabineteve qeveritare, sikurse edhe pritja e kryeministrave.

Në 11:10 do të zhvillohet pritja ceremoniale e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, për kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Në këtë kohë do të bëhet edhe intonimi i himneve kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës. Më pas kryeministrat Mustafa dhe Rama do të prezantojnë kabinetet.

Në orën 11:20 është parashikuar të fillojë mbledhja e përbashkët e dy qeverive, gjatë së cilës do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet ministrive. Konferenca e përbashkët për mediet mes dy kryeministrave do të mbahet në orën 12:40.

Në orën 13:00 parashikohet dreka ndërmjet kabineteve, me pjesëmarrës kryeministrat, ministrat dhe delegacioni përkrahës prej 7 anëtarësh, ambasadorë, sekretarë dhe këshilltarë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë për “KosovaPress” se, energjetika dhe shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri do të jenë temat kryesore që do të diskutohen në mbledhjen e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Ai ka thënë gjithashtu se marrëveshja që Kosova të ketë akses në Portin e Durrësit është shumë më e lehtë për t’u realizuar. Sa i përket energjetikës, ai pranon se ka pengesa nga Serbia, e cila nuk po lejon që Kosova të ketë pavarësinë e saj në këtë fushë. Por, edhe kjo çështje mund të tejkalohet nën trysninë e ndërkombëtarëve. Sipas tij, shumë shpejt pritet që në Portin e Durrësit të vendoset pika doganore e Kosovës.

Ky është takimi i tretë që mbahet mes dy qeverive. Takimi i parë u mbajt në Prizren në vitin 2014, ndërsa i dyti në Tiranë në vitin 2015.

Top Channel