Kosovë, kompania franceze dorëzon dokumentet për Brezovicën

01/06/2016 00:00

Fituesi i projektit zhvillimor për kompleksin turistik “Brezovica” në Kosovë, konsorciumi francez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes”, ka dorëzuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dokumentet e kërkuara sipas kontratës.

Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga kryeministri Mustafa, pas vizitës së tij në Agjencinë kosovare të Privatizimit, ndërkohë që kreu i ekzekutivit ka shtuar se “tani i mbetet komisionit të verifikojë nëse janë në përputhje me kriteret e parashikuara në ligj”.

Këtë gjë e ka konfirmuar më vonë edhe vet Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projekti për ekonominë e Kosovës, Komiteti drejtues Ndërministror do të vazhdojë të vlerësojë me kujdes dokumentet e dorëzuara”, thuhet në komunikatën e MTI-së.

Pas shqyrtimit të plotë nga ekspertët e brendshëm dhe të jashtëm, e pasi Komiteti drejtues Ndërministror të ketë finalizuar diskutimet e tij, një vendim për dokumentet e dorëzuara do t’i komunikohet publikut.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe institucionet e saj do të veprojnë me përgjegjësi në vlerësimin e dokumenteve të dorëzuara nga partneri privat”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel