Euro 2016, Franca ndërron ambient. Stërvitje në alpet e Austrisë

01/06/2016 00:00

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, pasi përcaktoi 23 futbollistët që do të marrë me vete në “Euro 2016”, vendosi të bëjë një ndryshim në stërvitjen e skuadrës së tij. Ai dhe futbollistët u transferuan në një resort malor në Austri, ku do të qëndrojnë deri më 4 qershor, ditë kur do të zhvillohet edhe ndeshja miqësore me Skocinë.

“Ne u larguam nga ambienti i zakonshëm, kështu që mund të gjejmë pak qetësi. Shumë skuadra kanë qenë këtu në rang përfaqësuesesh apo klubesh, sepse infrastruktura është ideale për përgatitjen e një turneu”, tha Deschamps.

Hija e frikës së sulmeve terroriste është ende e madhe, ndërsa ajo u shtua edhe më shumë pas deklaratës së Departamentit amerikan të Shtetit, sipas të cilit “Euro 2016” pritet të jetë një prej shënjestrave të këtyre sulmeve. Por Deschamps nuk u duk shumë i turbulluar nga ky paralajmërim.

“Për fat të keq, ky paralajmërim nuk përbën ndonjë lajm. Jemi në dijeni të kësaj situate prej muajsh, që nga nëntori i 2015-s. UEFA dhe qeveria i kanë marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë tonë, e sidomos të tifozëve dhe turistëve që do të vijnë në Francë gjatë Europianit”, theksoi më tej Deschamps.

Franca do ta hapë “Euro 2016”-n me ndeshjen kundër Rumanisë më 10 qershor, më pas ajo do të përballet me kombëtaren shqiptare, për ta mbylur fazën e grupeve me sfidën kundër Zvicrës.

Top Channel