Sot Marilyn do të ishte 90 vjeç

01/06/2016 00:00

Ylli i Marylinit u rikthye të shkëlqejë në vigjiljen e 90-vjetorit të saj të lindjes. E lindur si Norma Jeane Mortensen në Los Angeles, 1 qershorin e vitit 1926, vdekja e saj e parakohshme i dha fund një karriere në shpërthim e i hoqi botës njërën prej figurave më të dashura.

Por Monroe, edhe sot pas gati një shekulli, vazhdon të mbetet model i elegancës e hijeshisë. “Nuk ka pothuajse asnjë hir femëror që ajo nuk e posedonte”, shkruan autorja Barbara Sichtermann në librin e aktores ikonë.

Për këtë arsye, aftësia e saj në skenë shpeshherë spostohej diku në sfond; pamja dhe fama e shkëputen vëmendjen nga puna artistike. Monroe mishëroi magjinë e viteve 50’. Një bukuri verbuese që fshinte në vetvete trishtim, por që edhe pse vonë, arriti të çlirohej nga zinxhirët e “Hollywood”-it.

“Monroe, – thotë Sichtermann, – që për shumë kohë u përqesh nga kineastët, arriti t’i gjunjëzojë shoqëritë e produksioneve. Projekti i filmit, skenari dhe regjisori duhej të miratoheshin prej saj”.

Jeta e shkurtër dhe intensive përfshiu marrëdhënie me figura të njohura, si shkrimtarin Artur Miller, yllin e bejzbollit, Joe DiMaggio, apo lidhjet e përfolura me Robert dhe John Kennedyn.

Sa për spekulimet që rrethojnë vdekjen e saj nga një mbidozë qetësuesish në 1962-shin, në moshën 36-vjeçare, ato nuk janë fashitur kurrë. Shtatë vite përpara se kjo të ndodhte, miku i saj Truman Capote pati shkruar:

“Kam ndjenjën se ajo nuk do të plaket në këtë profesion. Kam frikë se do të vdesë e re. Por njëkohësisht shpresoj, madje lutem, që së paku të jetojë aq sa talenti i veçantë, si një shpirt i trazuar i mbyllur në shishe, më në fund të mund të shpërthejë”.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel