Francë, 9 ditë para Europianit vendi preket nga grevat në transport

01/06/2016 00:00

Një grevë hekurudhore pa afat ka nisur në Francë, vetëm 9 ditë para se të nisë kampionati europian i futbollit në vendin transalpin. Sipas kompanisë shtetërore “SNCF”, në funskion do të jenë 60% e trenave të shpejtë dhe 1/3-ta e shërbimeve të tjera hekurudhore.

Sindikatat janë hedhur në grevë për ndryshimet në oraret e punës, ndërkohë që lëvizja e sektorit hekurudhor vjen ndërsa vendi përballet prej ditësh me trazira përsa i takon reformave të punës.

Pavarësisht protestave masive dhe grevave, Presidenti francez Francois Hollande tha se reformat do të miratohen. Greva e hekurudhave i shtohet reagimit të premtuar të sindikatave, ndërsa problemet për qytetarët vetëm sa do të shtohen përsa i takon transportit, pasi edhe sindikata e pilotëve do të ndalojë punën nga data 3 deri më 5 qershor.

Qytetarët francezë kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestuesit, të cilët sipas tyre kanë kërkesa të drejta, por situata po zgjat shumë dhe pengesat janë të konsiderueshme në jetën e përditshme.

Paralelisht me grevat në transport, në Francë po zhvillojnë greva edhe operatorët e grumbullimit të mbeturinave dhe kjo është përkthyer me kazanë të mbushur plot dhe plehra në rrugë. Grevat kanë ndaluar edhe rafineritë e naftës dhe shpesh në stacionet e karburantit verifikohen radhë të gjata.

Top Channel