SHBA, fansi i padëshiruar nga Sanders. Maduro i Venezuelës

01/06/2016 00:00

Zgjedhjet presidenciale në SHBA kanë ndarë jo vetëm publikun amerikan, por edhe atë global, madje së fundmi në rang shtetesh. Pasi Koreja e Veriut shprehu simpati të kujdesshme për Donald Trumpin, Venezuela ka vendosur të bëhet pjesë e debatit, duke mbështetur hapur pretendentin demokrat Bernie Sanders.

Në një fjalim në televizon, Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro tha se, mbështet fuqishëm Bernie Sanders, i vetëshpallur socialdemokrat, duke shtuar se ai do të fitonte nëse në SHBA votimi do të ishte i lirë.

Ashtu si në rastin e Koresë së Veriut me Trumpin, edhe mbështetja e Maduros për Sanders nuk është burimi më i mirë për të shtuar pikë politike, por askush s’mund të zgjedhë fansat e tij. Maduro, i cili e konsideron veten si trashëgimtarin politik të Hugo Chavezit, prej kohësh akuzon SHBA-të se janë përgjegjëse për krizën ekonomike të Venezuelës dhe se po tentojnë ta rrëzojnë atë nga pushteti.

“Nëse zgjedhjet në SHBA do të ishin të lira, ata nuk do të vareshin te një sistem arkaik 200-vjeçar dhe Bernie Sanders do të ishte presidenti i vendit”, deklaroi Maduro. Ai shtoi se, modeli i Sandersit ka ndikuar edhe te kandidatët e tjerë, Donald Trump dhe Hillary Clinton, dhe këta të fundit po e imitojnë senatorin e Vermotit duke pretenduar se do të sjellin ndryshime.

Analistët thonë se kohë më parë, Sanders e cilësoi Hugo Chavezin si një diktator komunist të vdekur dhe nuk është e qartë pse Maduro e mbështet, duke qenë se edhe në rast të zgjedhjes së Sandersit si president, zor se do të ndryshojnë politikat e SHBA-ve ndaj Venezuelës.

Top Channel