Koreja e Veriut rezervon komplimente për Trump

01/06/2016 00:00

Media shtetërore e Koresë së Veriut e cilësoi Donald Trumpin si një politikan të zgjuar, i cili mund të jetë një e mirë për Veriun komunist.

Sigurisht që vendi komunist nuk është burimi më i mirë i komplimenteve për një kandidat presidencial amerikan, por në një opinion në gazetën shtetërore, Trump konsiderohet si një kandidat presidencial largpamës.

Së fundmi, Trump deklaroi se ishte gati të takohej me liderin koreanoverior Kim Jung Un dhe gjithashtu propozoi tërheqjen e trupave amerikane nga Koreja e Jugut.

Analistët thonë se  opinioni nuk paraqet zyrtarisht politikën shtetërore të Koresë së Veriut, por nuk ka dyshim që reflekton mendimin e qeverisë. Në opinion shkruhet se politikat e Trump për ushtarët amerikanë mund të shndërrojë në realitet vizionin e Koresë së Veriut, e cila prej kohësh kërkon që SHBA të largohet nga gadishulli.

Sipas autorit të artikullit, qytetarët amerikanë duhet të votojnë për Trumpin dhe jo për Clinton, e cila cilësohet si një person i mërzitshëm dhe që nuk paraqet interes.

Në artikull gjithashtu shkruhet se deklaratat e Trump për të mos u përfshirë në një konflikt mes Koresë së Veriut dhe asaj të jugut, janë pozitive për Korenë e Veriut. Ekspertët ndërkohë thonë se fjalët e opinionit nuk janë mesazh zyrtar i Pjongjangut, por në një vend ku mendia është totalisht e kontrolluar, nuk ka dyshim se bëhet fjalë për matje pulsi nga qeveria e Koresë së veriut.

Top Channel