SHBA, vrasja e gorillës hetohet nga policia

01/06/2016 08:30

Policia amerikane do të hetojë rrethanat e vrasjes së një gorille në një kopsht zoologjik në Sinsinati, pasi një djalë 3-vjeçar ra brenda rrethimit të tij. Policia bëri me dije se pas përfundimit të hetimit, do të shihet mundësia për të bërë akuza apo jo. Zyrtarë të kopshtit zoologjik thonë se nuk kishin asnjë zgjedhje tjetër veçse të vrisnin gorillën, pasi jeta e djaloshit të vogël ishte në rrezik.

Por aktivistët për mbrojtjen e kafshëve kanë akuzuar kopshtin zoologjik për neglizhencë. Kritika të mëdha në mediat sociale kanë marrë edhe prindërit e fëmijës. Duket se këtu është përqendruar edhe hetimi i policisë, pasi hetuesit thanë se do të rishikojnë veprimet e prindërve që sollën incidentin dhe nuk ka të bëjë me reagimin apo sigurinë në kopshtin zoologjik.

Në raportin paraprak të policisë shkruhet se dëshmitarë okularë thanë se fillimisht dukej sikur gorilla po e mbronte djalin e vogël, por më pas, i shqetësuar nga klithmat e njerëzve, nisi ta tërhiqte dhunshëm në ujë.

Punonjësit e kopshtit zoologjik ndërhynë pikërisht atëherë, duke eleminuar fizikisht gorillën, një specie e rrezikuar, gjë që solli edhe reagimin e ashpër të organizatave për mbrojtjen e kafshëve.

Top Channel