Ofensiva në Falluxha, ISIS në kundërsulm

01/06/2016 00:00

Militantët të ashtuquajturit Shteti Islamik janë hedhur në kundërsulm një ditë pasi forcat qeveritare avancuan në periferinë jugore të qytetit të Falluxhas në Irak.

Sipas zyrtarëve ushtarakë, trupat qeveritare janë sulmuar nga dhjetëra luftëtarë të ISIS-it. Ata thonë se ushtria i kishte mundur militantët por kishte pësuar humbje të rënda në radhët e saj.

Punonjësit vullnetarë janë mjaft të shqetësuar për sigurinë e 50 mijë civilëve që mendohet se janë të bllokuar në Falluxha. Sipas raportimeve shumë njerëz po vdesin urie dhe po vriten sepse refuzojnë të luftojnë për ISIS-in.

Ushtria irakiane u ka bërë thirrje personave të mbetur ose të largohen nga qyteti ose të qëndrojnë në shtëpi, por Shteti Islamik nuk po i lejon ata të arratisen.

Falluxha, qyteti i dytë më i madh i pushtuar nga grupi xhihadist, ra në duart e ISIS në janar të vitit 2014, një moment kyç ky për fuqizimin e ISIS, kur edhe deklaroi krijimin e kalifatit në territoret të Irakut dhe Sirisë.

Prej më shumë se një javë periferitë e qytetit janë bërë skenë e përleshjeve të ashpra, ndërsa forcat irakiane po përpiqen ta çlirojnë atë.

Top Channel