DASH: Euro 2016 në objektivin e sulmeve terroriste

31/05/2016 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për rrezikun terrorist që i kanoset përreth Europës këtë verë, duke përfshirë edhe Euro 2016-ën.

“Numri i lartë i turistëve që do të vizitojnë Europën në muajt e verës, paraqesin një objektiv për sulmet terroriste në vende publike, veçanërisht në evenimente të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar shtetasve të saj që ndodhen në Europë, ose që kanë në plan të shkojnë atje.

2 janë evenimentet që ajo veçon:  Dita Botërore e Rinisë së Kishës Katolike që do të mbahet në Poloni në fund të muajit korrik dhe Kampionati Europian i Futbollit, që zhvillohet në Francë mes 10 qershorit dhe 10 korrikut.

Por DASH nuk është i vetmi që ka dhënë alarmin për sulmet terroriste gjatë Kampionatit Europian.

Të dhënat më të fundit të gjetura në laptopin e njërit prej sulmuesve të Parisit, Salah Abdeslam, i cili tashmë ndodhet në burg, flasin për të tjera shpërthime kamikaze të ISIS, ku këtë herë ibjektivi është Europiani i Francës.

Në mesin e këtyre informacioneve të publikuara nga autoritetet përfshihen edhe fotografi të qytetit të Marsejës, ku më 15 qershor luhet ndeshja e Euro 2016 mes Francës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu mediat britanike raportojnë se terroristët po përgatitin sulme për ndeshjen e parë të Europianit që do të luhet në këtë qytet, atë mes Anglisë dhe Rusisë.

Top Channel