SHBA, ish-kryeprokurori Holder: Snowden bëri një shërbim publik me paligjshmërinë e tij

31/05/2016 00:00

Ish-prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Holder tha se Edward Snowden, njeriu që zbuloi “të palarat” e Agjencisë për Sigurinë Kombëtare “NSA”, bëri një shërbim publik duke i dhënë shkas nisjes së debatit për teknikat qeveritare të mbikëqyrjes.

Megjithatë, duke ripërsëritur qëndrimin e tij ndërsa ishte në detyrë, Holder tha se Snowden duhet ndëshkuar.

“Sigurisht që, mënyra sesi ai veproi duhet shqyrtuar, por mendoj se rezultati ishte një shërbim publik, pasi solli debat dhe ndryshime. Megjithatë, unë jam i mendimit se veprimi i tij ishte i jashtëligjshëm”, deklaroi Holder.

Në qershor të vitit 2013, në një prej rrjedhjeve më të mëdha të dokumenteve sekrete në SHBA, Edward Snowden, ish-analist i CIA-s dhe NSA-së, zbuloi mijëra dosje të mbikëqyrjes pa asnjë dallim të qytetarëve amerikanë.

Eric Holder, i cili drejtonte Departamentin e Drejtësisë në atë kohë, tha se Snowden kishte dëmtuar interesat e amerikanëve. Holder deklaroi se, si pasojë e veprimit të Snowdenit u morën shumë masa riparuese, por SHBA-të mbetën të verbër në disa zona kritike, prandaj gjesti i tij nuk ishte pa pasoja.

Por ai nguli këmbë se, në rast të zhvillimit të një gjyqi, gjykatësi duhet të marrë parasysh edhe kontributin e Snowden për debatin mbi përgjimet masive. Snowden, i cili që prej 2013-s jeton në Rusi, shpesh ka thënë se është i gatshëm të kthehet në SHBA nëse i garantohet një gjyq i drejtë, diçka që ai mendon se nuk do ta ketë kurrë.

Top Channel