Kosovë, dështon përcaktimi i vendndodhjes së Ambasadës shqiptare në Prishtinë

31/05/2016 00:00

Mbledhja e Kuvendit komunal të Prishtinës, gjatë së cilës do të përcaktohej zona e ndërtimit të Ambasadës së Shqipërisë, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Anëtarët e LDK-së dhe PDK-së nuk ishin të pranishëm.

Dardan Sejdiu, nga Lëvizja Vetëvendosje që udhëheq Prishtinën, kritikoi mungesën e anëtarëve të dy partive, duke e quajtur si urgjent diskutimin për zonën ku do të ndërtohet Ambasada e Shqipërisë, pasi më 3 qershor do të mbahet mbledhja e qeverive të të dy vendeve.

“Fatkeqësisht siç duket, asambleistët e LDK-së dhe PDK-së kanë vendosur të mos vijnë në seancë. Arsyen nuk e di, por di që kanë dërguar një komunikatë dhe thonë se kjo qenka joligjore. Unë e kam pak të paqartë, sepse ligji i jep të drejtë kryetarit të thërrasë seanca të jashtëzakonshme, e ka bërë këtë dhe arsyeja pse është e jashtëzakonshme vjen nga fakti se në datën 3 qershor është mbledhja e dy qeverive, asaj të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Kosovës. Ndaj dhe ne e kemi vlerësuar se është mirë që të kemi një sukses sa i përket Ambasadës së Shqipërisë dhe ndarjes së vendndodhjes së saj”, tha Sejdiu.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes në Prishtinë, Qëndron Kastrati ka thënë se vendi ku është planifikuar të ndërtohet ambasada ishte një pronë e destinuar  për partinë LDK, ndaj është kundërshtuar nga dy partitë aleate në pushtet.

Pak para mbledhjes së Asamblesë së Prishtinës, LDK publikoi një deklaratë për shtyp, përmes së cilës paralajmëroi mospjesëmarrjen duke e cilësuar mbledhjen si të paligjshme.

Top Channel