Masakrat ruse në Siri, 23 viktima nga bombardimet natën e kaluar

31/05/2016 00:00

Videoja amatore e një fëmije, që nxirret nga gërmadhat e shtëpisë së tij të shkatërruar prej një sulmi ajror rus në Idlib, është hedhur në internet me qëllimin të tregojë se me çfarë vështirësish përballen punonjësit e mbrojtjes civile në Siri.

Të paktën 23 vetë humbën jetën nga bombardimet ruse gjatë natës së kaluar në qytetin e kontrolluar nga rebelët. Këto ishin sulmet më të rënda ajrore në zonë,që prej pushimzjarrit të shkurtit, e sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, ato kanë shënjestruar disa pozicione të ndryshme, një ndër të cilët shumë pranë spitalit. Shtatë prej të vdekurve janë fëmijë.

Punonjësit e shpëtimit kanë punuar përgjatë të gjithë natës me shpresën të gjenin të mbijetuar nën rrënoja. Qyteti i Idlibit dhe provinca që mban të njëjtin emër janë fortesa të grupeve kundërshtare të regjimit, përfshirë këtu Frontin al-Nusra, të lidhur sipas disa raporteve me al-Qaedën.

Forcat ajrore ruse nisën vitin e kaluar një fushatë në Siri me qëllim goditjen e ISIS-it në atë vend, por opozitarët sirianë këmbëngulin se ato në fakt janë duke mbështetur Presidentin Bashar al-Assad në betejën me rebelët që kërkojnë fundin e sundimit të tij.

Top Channel