Përleshje të reja të përgjakshme mes refugjatëve të larguar nga Idomeni kanë ndodhur në Greqinë e veriut, pranë kampit “Nea Kavala” në Kilkis. Një grup prej 10 irakianësh sulmuan me gurë, shkopinj dhe objekteve të mprehta disa refugjatë sirianë, duke plagosur 4 prej tyre të cilët tashmë trajtohen në spitalin e Kilkisit.

Ndërkohë, edhe në Evzoni, në hotelin “Hara” ku strehohen një numër i madh emigrantësh, një 19-vjeçar nga Pakistani është qëlluar me armë zjarri nga bashkëkombas të tij, për mosmarrëveshje për një shumë parash. Por edhe të dielën e kaluar, një sirian është qëlluar me thikë nga 5 persona në Kilkis, në një benzinatë që perdorej prej kohësh si një kamp i vogël refugjatësh.

Qeveria greke ka deklaruar se janë mbi 4.000 emigrantë të larguar me dëshirën e tyre nga kampi i Idomenit në ditët e evakuimit të tij, të cilët janë shpërndarë në zonën përreth me shpresën se do të hapet një ditë kufiri dhe do të mund të largohen drejt Europës Qendrore.

Në planin më emergjent të qeverisë parashikohet transferimi i tyre në kampet e organizuara me qëllim shmangien e incidenteve të përgjakshme mes tyre.

Orët e fundit, edhe organet bullgare kanë kthyer në Greqi 56 emigrantë nga Afganistani, të cilët kishin kaluar në mënyrë të paligjshme në tokën bullgare.

Deri tani nuk është raportuar nëse grupe nga këta emigrantë, që ndodhen jashtë kampeve, po drejtohen drejt kufirit shqiptar.

Top Channel