Magjistarët e futbollit, 8 shamanë peruanë  ia “japin” kupën Argjentinës

31/05/2016 00:00

8 shamanë peruanë nga tre rajone të ndryshme të vendit, Costa, Sierra dhe Amazon, parashikojnë triumfin e Argjentinës në Copa Amerika që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Argjentina përballet me Kilin në Santa Klara të Kalifornisë në 6 qershor dhe me Bolivinë e Panamanë në grupin D.

Në një ceremoni plot ngjyra për t`i sjellë mbarësi disa yjeve amerikano-jugorë të futbollit si Lionel Messi i Argjentinës apo Neymar i Brazilit, shamanët kërcyen e performuan ritet e tyre duke përdorur kafka, gjethe palmash dhe guaska kërmijsh deti.

Pasi i spërkatën fotot e futbollistëve me parfume e tym duhani, bënë dhe parashikimin e tyre: Argjentina do të jetë kampione.

Shamani Juan Osco deklaroi: “Në ndeshjen e parë, kur të luajë Argjentina, do të fitojë. Ajo do të jetë favorite e qartë. E shoh si kampionen e ardhshme”.
 
Copa America, që do të zhvillohet në 10 qytete amerikane, përfshin 6 ekipe nga CONCACAF-i dhe 10 skuadra nga CONMEBOL-i. Shamanët parashikuan gjithashtu që kandidati presidencial Pedro Pablo Kuczynski, 77-vjeçari që ka shërbyer dikur si ekonomist pranë Bankës Botërore, do të mundë rivalen Keiko Fujimori në balotazhin e 5 qershorit, edhe pse sondazhet e nxjerrin këtë të fundit në avantazh.

Top Channel