Stuhitë sulmojnë Kubën

31/05/2016 00:00

Kalimi i një sistemi të fuqishëm stuhish në Camaguey të Kubës la pas shtëpi të dëmtuara e pemë të shkulura nga rrënjët, por furia e motit fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima në njerëz. Autoritetet nisën pastrimin e zonës së goditur, ku sipas raporteve në media, për shkak të erërave që mbërrinin shpejtësinë 90 km/h dhe reshjeve të shiut prej 58 mm, pati dhe shkeputje të linjave telefonike dhe atyre të energjisë elektrike.

Për pastrimin e rrugëve të bllokuara nga gurët e pemët janë mobilizuar zjarrfikës e punonjës të emergjencës, të cilët po ndihmojnë edhe banorët me prona të dëmtuara. Moti në shtetin-ishull ka pasur prej muajsh luhatjesh të pazakonta. Vendi komunist pati vështirësi këtë vit me prodhimin e sheqerit prej një sezoni ku janë ndërthurur si rrallëherë më parë thatësirat e mëdha me shirat e befasishëm e të rrëmbyer.

Reshjet atipike të janarit i dhanë një goditje të fortë të korrave edhe ashtu të dëmtuara nga thatësira e ardhur si pasojë e fenomenit klimaterik El Nino, e ndonëse moti është përmirësuar disi që prej atëherë, por prodhimi i sheqerit nuk e mori më veten plotësisht.

Top Channel