NBA, Golden State në finale, Stephen Curry fenomen

31/05/2016 00:00

Ashtu sikurse edhe sezonin e kaluar titulli i kampionit të NBA do të diskutohet mes Cleveland dhe Golden State.

Skuadra e Warriors arriti të bëjë përmbysjen e madhe ndaj Oklahomës duke fituar ndeshjen e 7 me të 96-88 duke u shpallur kampione e Konferencës së Perëndimit.

Stephen Curry shkroi sërish një pjesë të historisë së NBA duke e udhëhequr Golden State drejt këtij suksesi me 36 pikët e shënuara prej tij. Gjithçka ndodhi në një moment kur u duk se Oklahoma ishte shumë pranë triumfit teksa mori kryesimin në 3-1.

Por, Golden State i dha kuptim emrit të tij Warriors(Luftëtarët) duke fituar 3 ndeshje radhazi, duke u bërë  ekipi i 10 në historinë e play off-it në NBA që fiton një seri ndeshjesh duke përmbysur disavantazhin 1-3

Në “Oracle Arena’, ishte Oklahoma ajo që e nisi më mirë ndeshjen duke mos e lejuar Golden State të bëjë lojën e tij me ketë te fundit që në një moment të sfidës e pa veten në disavantazhin 22-35. Megjithatë, Warriors u kundërpërgjigj dhe në pushimin e ndeshjes e shkurtoi difereencën e pikëve me Thunder në -6 pikë.

Perioda e tretë nisi me një gjuajtje të saktë për 3 pikë të Curry, pikë që u shoqëruan me ato të Thompson e Igoudalës duke bërë që Golden State të marrë kryesimin në 57-56.

Në këtë moment Westbrook e Durant u dukën të pafuqishëm për të reaguar, ndërsa Golden State e çoi diferencën e pikëve në +12. Në periodën e fundit Golden State arriti të ruajë avantazhin e krijuar pavarësisë përpjekjeve të Durant për të rikthyer në lojë skuadrën e Oklahomës. Në fund suksesi shkoi për Warriors që tashmë ka edhe pengesën e fundit ne rrugën drejt mbrojtjes së titullit kampion të NBA, Cleveland të LeBron James.
 

Top Channel