Drejt “Euro 2016”, Parisi nis fushatë promovuese

31/05/2016 00:00

Kampionati Europian i Futbollit po afron dhe Franca ndodhet në një moment delikat.

Vendi është përfshirë nga protestat e shumta për shkak të reformave të punës ndërkohë që frika për sulmet terroriste vazhdon të jetë në nivelet më të larta. Kjo situatë ka shqetësuar shumë organizatorët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme pasi mund të ulet ndjeshëm numri i tifozëve, por edhe i turistëve që pritet të vijnë në vendin transalpin.

Për këtë arsye drejtuesit e Bashkisë së Parisit dhe zyrtarë të qeverisë franceze, bashkuan forcat për të promovuar kryeqytetin e vendit transalpin në sytë e gjithë botës.

Kryebashkiakja e Parisit An Hidalgo dhe Ministri i jashtëm Francez, Zhan Mark Ajrol zhvilluan një takim në katin e parë të Kullës Eiffel për të prezantuar fushatën promovuese “Made in Paris”.

Prenotimet në hotele në Paris për periudhën qershor-gusht kanë rënë në masën 20-50% në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo për shkak edhe të frikës së shfaqur pas sulmeve të fundit terroriste në kryeqytetin francez.

Për autoritetet  transalpine ajo që ka rëndësi është ripromovimi i Parisit si një destinacion turistik, pavarësisht momentit që po përjeton.

Top Channel