Korea e Veriut, një tjetër dështim balistik

31/05/2016 08:30

Korea e Veriut tentoi që të testojë një tjetër raketë balistike në bregun e saj lindor, por sipas Koresë së Jugut, testi ka dështuar. Nuk është e qartë se për çfarë lloj rakete bëhej fjalë, por testi i radhës pasoi tre tentativa të dështuara të lëshimit të një raketë me rreze të mesme veprimi Musudan që u kryen në prill.

Kombet e Bashkuara i kanë ndaluar Koresë së Veriut të zhvillojë teknologji për raketa balistike, diçka që nuk e ka penguar aspak vendin komunist dhe që ka rritur ndjeshëm tensionin në rajon. Korea e Jugut bëri me dije se testi i dështuar i raketës u krye në afërsi të qytetit koreanoverior Uonson.

Dyshohet se edhe këtë herë bëhet fjalë për një raketë Musudan, e cila teorikisht ka aftësinë të arrijë Japoninë apo territorin amerikan të Guamit, megjithëse Korea e Veriut nuk ka mundur që këtë gjeneratë armësh ta testojë me sukses deri tani.

Në komgresin e fundit të partisë, lideri koreanoverior Kim Jong Un bëri një ofertë për dialog ushtarak me Korenë e Jugut, por kjo e fundit e refuzoi duke e cilësuar si një farsë. Kim Jong Un gjithashtu u zotua se do të vazhdojë programin e armëve bërthamore, duke treguar qartë se rezolutat dhe sanksionet nuk kanë për ta ndalur vendin komunist.

Top Channel