Red Bull pranon gabimin: I kërkojmë ndjesë Ricciardos

31/05/2016 00:00

Red Bull pranon gabimin e bërë në “pit stopin” e Daniel Ricciardos gjatë Çmimit të Madh të Monakos, një gabim që i kushtoi shumë australianit në tentativën e tij për të fituar këtë garë.

Ricciardo ishte në kryesim të garës kur hyri në bokse për të ndryshuar gomat, duke i gjetur mekanikët e skuadrës të papërgatitur. Kjo bëri që ai të humbasë kohë e si rrjedhojë edhe vendin e parë në garë, duke i hequr mundësinë e triumfit të parë të tij në pistën e Montekarlos.

Red Bull nëpërmjet Christian Horner kërkoi ndjesë për gabimin e bërë ndaj Ricciardos.

“Ishte një ditë shumë zhgënjyese. Ricciardos i detyrohemi një ndjesë të madhe sepse nuk e mbështetëm siç bëmë në provat zyrtare. Vonesa në bokse i kushtoi kryesimin e garës, pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer gjatë garës. Iu afrua Hamilton por pa mundur ta parakalojë gjë që është e vështirë të ndodhë në Monako”, deklaroi Horner.

Sipas Horner, gabimi i bërë erdhi edhe si pasojë e vendosjes së garazhit të Red Bull në pistën e Monakos dhe vendit ku ndodheshin gomat e paracaktuara për t’u montuar në makinën e Ricciardos.

Horner theksoi se si lloj gomash që duhej në atë moment, ishin në pjesën e pasme të garazhit dhe kjo shkaktoi edhe kohën e gjatë të qëndrimit në bokse të Ricciardos.

“Pati një ngatërrese te mekanikët. Ata kishin gati gomat e buta, por kur iu kërkua që të bënin gati ato super të buta ato ishin në pjesën e prapme të bokseve kështu që ata nuk erdhën në kohë duke bërë që të humbasim 10 sekonda”, vijoi Horner.

Top Channel