Thirrje për “besëlidhje”, De Diasi dhe lojtarët frymëzohen tek Skënderbeu në Vjenë

30/05/2016 00:00

Edhe pse nuk do të nisen nga Shqipëria drejt Francës, përfaqësuesja shqiptare ka gjetur një mënyrë më origjinale për t’u frymëzuar përpara Europianit.

Në prag të largimit nga Austria, të shoqëruar edhe nga ambasadori ynë në Vjenë, Roland Bimo, kuqezinjtë kanë vizituar Muzeun Historik të Vjenës ku ndodhet edhe shpata e përkrenarja origjinale të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu.

Për të gjithë ka qenë një moment i veçantë kjo vizitë dhe nga e cila kanë gjetur frymëzimin e duhur.

“Uroj që të jetë një frymëzim për lojtarët për t’u mobilizuar dhe duke menduar se siç kanë luftuar të parët tanë, pse jo ju të jeni të gjithë nga një hero më vete”, tha Duka.

Ndërkohë trajneri italian, Giani de Biasi, vërtet mund të di pak nga gjuha shqipe, por me sa duket nuk di pak nga historia, veçanërisht ajo e Shqipërisë dhe e heroit tonë Gjergj Kastriotit.
 
“Përkrenarja shërbente për të mbrojtur kokën, por ishte edhe një simbol për të treguar se ai që e mbante ishte një drejtues. Ne kemi nevojë për këtë simbol por edhe për këtë shpatë, për t’u mbrohemi nga ata që në Europian do të kërkojnë të na mundin. Ne duhet të luftojmë dhe te marrim shembull nga Skënderbeu i cili mendonte se të bashkuar mund të bëjmë gjëra të mëdha. Nëse do të mendojmë vetëm për veten tonë, nuk do të arrijmë asnjë objektiv, prandaj duhet të arsyetojmë me forcën e grupit që na solli në Francë dhe do të na ndihmojë të arrijmë diçka të madhe edhe në Francë”, tha De Biasi.

Ky ishte dhe momenti i fundit ku të 27 lojtarët dhe trajneri ishin bashkë sepse të martën De Biasi do të vendosë se cila do të jetë lista e 23 lojtarëve që do të vazhdojnë rrugëtimin drejt ëndrrës së Europianit dhe cilët do të jenë 4 lojtarët që ai do t’i kthejë në shtëpi.

Top Channel