Denoncimi i “Fiks Fare”, sjellja e padenjë ndaj nxënësve autikë

30/05/2016 00:00

“Fiks Fare” dëshmoi me pamje sesi trajtohen fëmijët autikë në shkollat publike, ku Ministria e Arsimit nuk ka emëruar mësues ndihmës. Nëna e një fëmije 11-vjeçar, që po përfundon klasën e parë në shkollën “Konferenca e Pezës” në kryeqytet, denoncoi publikisht dhunën e ushtruar nga mësuesja, ndërsa për një farë kohe, ajo ka luajtur rolin e mësuesit ndihmës në klasë.

Mësuesja e klasës së parë fyen fëmijën autik dhe ushtron dhunë verbale mbi të dhe nxënësit e tjerë të klasës. Fiksi solli me pamje momente nga disa orë mësimi në klasën e parë B të shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Pezës” në kryeqytet, ku mësuesja Filloreta Dervishi ushtron dhunë verbale dhe psikologjike ndaj fëmijëve.

Në një nga klasat e para të kësaj shkolle, merr dije dhe një 10-vjeçar me elemente autizmi. Filloreta Dervishi e mënjanon dhe e shpërfill, në vend që të përpiqet ta përfshijë këtë fëmijë në mësim dhe në aktivitetet e tjera të klasës. Gjithëpërfshirja në procesin mësimor ka në bazë të gjithë fëmijët me probleme që duhet të përfshihen në procesin mësimor edukativ si bashkëmoshatarët e tyre.

Në vitin 2014, Ministria e Arsimit filloi të fusë në sistemin arsimor mësuesit ndihmës nëpër klasa, që sot arrijnë numrin rreth 140. Numër ky, që nuk e mbulon dot kërkesën për nxënësit autikë. Kështu që fëmijët me autizëm frekuentojnë shkollat publike, por nuk kanë mësues të posaçëm për kujdesin dhe edukimin e tyre. Në rastin e trajtuar mbrëmjen e djeshme, në mungesë të mësueses ndihmëse në klasë me fëmijën qëndron e ëma. Ajo ka lënë punën dhe i është përkushtuar tërësisht të birit.

Mësuesja e tij, Filloreta Dervishi, nuk përpiqet ta aktivizojë aspak fëmijën, madje ajo e largon edhe nga grupi i provave për festën e abetares. Nga pamjet e filmuara në “Fiks Fare” shfaqet qartë se mësuesja Filloreta Dervishi shfaq elemente dhune me të gjithë fëmijët e klasës. Ajo u flet me tone të larta të gjithë nxënësve dhe i godet me çok në kokë. Kur nxënësit e klasës së parë i bëjnë pyetje mësueses së tyre, Filloreta Dervishi u thotë: “Mos më bëni pyetje se jam me nerva, mbylleni gojën dhe nuk dua t’ua dëgjoj zërin”.

“Fiksi” e ndoqi për disa ditë me radhë mësimdhënien e kësaj mësueseje dhe aty u pa qartë sjellja e saj me fëmijët e klasës së parë. Ndërsa me 10-vjeçarin me elemente autizmi, në provat e festës së abetares, e ka nxjerrë nga grupi duke e urdhëruar të ulet. Edhe pse fëmija tenton të hyjë disa herë në grup bashkë me moshatarët e tjerë pa u veçuar, ajo sërish e largon duke e diferencuar.

Në këto kushte, Valbona Rrenjolli, prind i fëmijës me elemente autizmi, kërkoi ndihmën e emisionit “Fiks Fare” për të demaskuar mësuesen, ose ndryshe “nënën e dytë”. Valbona shprehet se kjo mësuese ka penguar integrimin e djalit të saj si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë, por edhe mënyrën sesi kjo mësuese ushtron dhunë të vazhdueshme ndaj fëmijëve. Dhunë verbale dhe joverbale.

Ajo thotë se në rolin e prindit është ankuar në drejtori, ku ka mbetur akoma më e zhgënjyer, kur ka parë sesi të gjithë mësuesit dhe drejtuesit dalin në krah të njëri-tjetrit dhe nuk e verifikojnë fare situatën. Psikologia Gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan edhe psikologes për të marrë një mendim profesional.

Sipas psikologes Denada Toçe, këta fëmijë duhet të kenë edhe një mësues ndihmës në klasë, por nëse ato janë pranuar në klasë mësuesja duhet t’i trajtojë si gjithë të tjerët, pasi i kanë të gjitha aftësitë për t’u integruar. E pyetur në lidhje me dhunën që mësuesja ushtron, Toçe u shpreh se “Elementet e dhunës janë për të ardhur keq që i diskutojmë akoma sot, dhuna e ushtruar nuk mund të tolerohet kurrsesi”.

Në studion e emisionit ishte edhe zonja Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit e cila u përgjigj për situatën. Ajo dënoi sjelljen e mësueses dhe njëherazi uroi që këto të jenë raste sporadike. Gjithashtu, ajo u shpreh se kjo ngjarje do të ndiqet deri në fund nga ana e ministrisë.

Top Channel