Planet e ISIS për të sulmuar Euro 2016, objektiv qyteti ku luhet Francë-Shqipëri

30/05/2016 00:00

Të dhënat më të fundit të gjetura në laptopin e njërit prej sulmuesve të Parisit, Salah Abdeslam, i cili tashmë ndodhet në burg, flasin për të tjera shpërthime kamikaze të ISIS, këtë herë cak është Europiani i Francës.

Në mesin e këtyre informacioneve të publikuara nga autoritetet përfshihen edhe fotografi të qytetit të Marsejës, ku më 15 qershor luhet ndeshja e Euro 2016 mes Francës dhe Shqipërisë.

Sipas mediave britanike terroristët po përgatitin sulme për ndeshjen e parë të Europianit që do të luhet në këtë qytet, atë mes Anglisë dhe Rusisë. Policia ka gjetur të dhëna të cilat tregojnë për planifikimin e sulmeve ndaj tifozëve anglezë kur ata të mblidhen në Marsejë para ndeshjes së datës 11 qershor.

Forcat e rendit i druhen faktit se ndjekësit e Abdeslam janë të vendosur të vazhdojnë planin e tij, edhe pse ky i fundit është arrestuar. Organet e sigurisë angleze mendojnë se ISIS do të mundohet të kryejë sulme vetëvrasëse, me kallashnikovë, apo do të përdorë dronë për të shkaktuar masakra mes tifozëve të shumtë në lokalet e qytetit të Marsejës.

Nga Belgjika kanë ardhur informacione se në laptopin e sekuestruar në një nga bazat e strehimit të Abdeslam në Bruksel, janë gjetur foto dhe informacione rreth zonës së “Portit të Vjetër” në Marsejë, një pjesë e qytetit në të cilën pritet të ketë një fluks të madh tifozësh në ditët e ndeshjeve pasi është i mbushur me bare dhe restorante.

Vetëm katër ditë pas ndeshjes Angli-Rusi, në Marsejë do të luhet takimi mes Francës dhe Shqipërisë ndaj pritet që një numër i madh tifozësh kuqezi të qëndrojë gjatë të gjithë javës në këtë qytet.

Top Channel